.Në bazë të Legjislacionit Shqiptar farmacisti është një profesionist i shëndetësisë që ushtron një profesion të rregulluar (1). Si rrjedhojë që për të ushtruar profesionin e farmacistit duhet të kesh përfunduar një program të akredituar studimi.
Në bazë të ligjit 10171 datë 22.10.09 “Për profesionet e rregulluara”, neni 7, personi që kërkon të ushtrojë një profesion të rregulluar, duhet të ketë përfunduar programin përkatës të akredituar të studimit dhe/ose kualifikime profesionale në atë profesion, të cilat vërtetohen me dokumente zyrtare, të lëshuara brenda ose jashtë vendit, dhe të njohura në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi (2).
Në rastin e farmacistit kursi i kualifikimit është një cikël unik të paktën 5-vjeçar.
Në bazë të ligjit nr. 9323, datë 25.11.2004 “Për Barnat dhe Shërbimin farmaceutik”, neni 3, pika 29 “Farmacist” është profesionisti i diplomuar si farmacist, me një cikël unik të paktën 5-vjeçar (Diplomë e Integruar e Nivelit të Dytë). Njihen, në të njëjtën masë, diplomat e lëshuara nga Universiteti i Tiranës, dega farmaci, sipas programit të mëparshëm të miratuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe diplomat e huaja në farmaci, të ekuivalentuara nga kjo Ministri (3).
Studentët që mbarojnë në vitin 2010, përveç praktikës profesionale, do tu duhet të kryejnë dhe provimin e shtetit, kalimi i këtij provimi i jep të drejtën të regjistrohen ne një urdhër profesional. Vetëm në këtë moment ata kanë drejtën që të ushtrojnë profesionin e farmacistit (4).
1. Ligji nr. 10171 datë 22.10.09 “Për profesionet e rregulluara”, neni 5
2. Ligji nr. 10171 datë 22.10.09 “Për profesionet e rregulluara”, neni 7
3. Ligji nr. 9323, datë 25.11.2004 “Për Barnat dhe Shërbimin farmaceutik”, neni 3, pika 29
4. Ligji nr. 10171 datë 22.10.09 “Për profesionet e rregulluara”, neni 8
Karrierë në Farmaci



