You are here: Home Ligjshmeria Ligj për Profesionet e Rregulluara në Republikën e Shqipërisë
  • Increase font size
  • Default font size
  • Decrease font size
Search

Urdheri i Farmacisteve Shqiptare

.LIGJ

Nr.10 171, datë 22.10.2009

PËR PROFESIONET E RREGULLUARA NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË 

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

 

KUVENDI

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

 

VENDOSI:

  

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

 

Neni 1

Objekti i ligjit

 

Objekt i këtij ligji është përcaktimi i rregullave për mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të profesioneve të rregulluara në Republikën e Shqipërisë.

 

Neni 2

Qëllimi i ligjit

 

Qëllimi i këtij ligji është:

a) përcaktimi i kritereve për ushtrimin e disa profesioneve të rëndësishme, të cilat lidhen me mbrojtjen e interesit publik, të sigurisë publike dhe të shëndetit, duke respektuar parimin e shqyrtimit të pavarur dhe autonominë e profesionistëve;

b) mbrojtja dhe garantimi i standardeve për disa profesione të rëndësishme, në mënyrë që ushtrimi i tyre të bëhet prej personave të kualifikuar, të cilët plotësojnë kushtet dhe kriteret e parashikuara nga ky ligj apo ligje të tjera.

 

Neni 3

Fusha e zbatimit

 

1. Ky ligj zbatohet për çdo person, i cili kërkon të ushtrojë një profesion të rregulluar në Republikën e Shqipërisë.

2. Ky ligj nuk zbatohet:

a) për veprimtaritë e ushtruara në profesionin e rregulluar, që lidhen me kryerjen e funksioneve në autoritetet gjyqësore.

b) për profesionet, të cilat, sipas legjislacionit në fuqi, kanë kërkesa të veçanta, por jo domosdoshmërisht të karakterit të formimit apo kualifikimit të kërkuar për profesionet e rregulluara.

 

Neni 4

Përkufizime

 

Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

a) “Profesion i rregulluar” është një veprimtari apo grup veprimtarish profesionale, e drejta e ushtrimit të të cilave ose njëra nga format e ushtrimit rregullohet me ligj apo me akte nënligjore dhe kushtëzohet me një nivel të caktuar formimi ose me zotërimin e kualifikimeve profesionale të veçanta.

b) “Kualifikime profesionale” janë kualifikimet e certifikuara me një titull studimi, një dëshmi aftësie ose një përvojë profesionale.

c) “Dokument zyrtar i formimit apo kualifikimit profesional” është diploma, certifikata ose dëftesa, lëshuar nga autoriteti kompetent, në përputhje me rregullat dhe procedurat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi, që certifikon përfundimin e suksesshëm të një formimi apo kualifikimi profesional, të zhvilluar brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

ç) “Autoritet kompetent” është çdo autoritet, i ngarkuar me akt ligjor apo nënligjor, si përgjegjës e rregullator për një apo më shumë profesione të rregulluara, për njohjen e së drejtës së ushtrimit të tyre, për pranimin e aplikimeve, të deklarimeve dhe marrjen e vendimeve.

d) “Përvojë profesionale” është ushtrimi i ligjshëm i një profesioni, për një periudhë të caktuar kohe, të parashikuar në marrëveshje ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë, me ligj apo me akt nënligjor.

 dh) “Praktikë profesionale” është ushtrimi i një profesioni të rregulluar për një periudhë të caktuar kohe nga ana e praktikantit, në drejtimin e përgjegjësinë e një profesionisti të kualifikuar, që mund të shoqërohet me një formim shtesë, sipas mënyrës së përcaktuar nga autoriteti kompetent, në bashkëpunim me urdhrin profesional përkatës.

e) “Provim i shtetit” është kontrolli vetëm për njohuritë profesionale të kandidatit, që organizohet në përputhje me legjislacionin në fuqi. Ky provim kryhet sipas përcaktimeve të parashikuara në këtë ligj dhe vlerëson njohuritë dhe aftësitë e kandidatit për ushtrimin e një profesioni të rregulluar.

 ë) “Kandidat” është personi, i cili gëzon një dokument zyrtar të formimit apo kualifikimit profesional dhe që kandidon për të marrë titullin e një profesioni të rregulluar.

 f) “Urdhër profesional”, më poshtë UP, është enti publik kombëtar, i cili përfaqëson interesat e përbashkëta të profesioneve në një fushë të caktuar dhe rregullon marrëdhëniet ndërmjet tyre, në funksion të publikut.

 

Neni 5

Profesionet e rregulluara

 

1. Profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë janë profesioni i:

a) mjekut;

b) stomatologut;

c) farmacistit;

ç)  infermierit;

d)  mamisë;

dh) fizioterapistit;

e)  veterinerit;

ë)  arkitektit;

f)  inxhinierit.

2. Profesione të rregulluara janë edhe profesionet e përcaktuara si të tilla me ligje të tjera, të veçanta.

 

KREU II

KUSHTET DHE KRITERET PËR USHTRIMIN  E PROFESIONIT TË RREGULLUAR

 

Neni 6

Ushtrimi i profesionit të rregulluar

 

1. Të drejtën e ushtrimit të një profesioni të rregulluar e ka çdo person, i cili plotëson kriteret e përcaktuara në këtë ligj ose në ligje të tjera, të veçanta.

2. Profesioni ushtrohet si person fizik ose juridik, me cilësinë e të vetëpunësuarit ose të të punësuarit, sipas kërkesave të përcaktuara nga UP-ja përkatëse.

3. Ushtrimi i një profesioni të rregulluar bëhet në përputhje me parimet e mëposhtme:

a) liria e konkurrencës së profesionistëve;

b) autonomia dhe pavarësia e gjykimit intelektual e teknik të profesionistit;

c) korrektësia dhe cilësia e shërbimeve për mbrojtjen e përfituesit të shërbimit e të interesave publikë, duke garantuar ushtrimin korrekt e ligjor të profesionit, pavarësisht nga mënyra apo forma e ushtrimit të tij;

ç) liria e zgjedhjes nga përfituesi i shërbimit.

 

Neni 7

Formimi dhe kualifikimi profesional për ushtrimin

e profesionit të rregulluar

 

Personi, që kërkon të ushtrojë një profesion të rregulluar, duhet të ketë përfunduar programin përkatës të akredituar të studimit dhe/ose kualifikime profesionale në atë profesion, të cilat vërtetohen me dokumente zyrtare, të lëshuara brenda ose jashtë vendit dhe të njohura në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

 

Neni 8

Kriteret për ushtrimin e një profesioni të rregulluar

 

1. Për të fituar të drejtën e ushtrimit të një profesioni të rregulluar, çdo kandidat duhet:

 a) të kryejë praktikën profesionale;

 b) të kryejë provimin e shtetit;

 c) të regjistrohet në UP-në përkatëse.

 2. Etapat e parashikuara në pikën 1 të këtij neni përcaktohen nga autoriteti kompetent përkatës, sipas veçantive të çdo profesioni të rregulluar.

 

Neni 9

Provimi i shtetit

 

1. Provimi i shtetit:

a) realizon garancitë publike për përgjegjësitë, që sjell ushtrimi i një profesioni të rregulluar.

b) kryen testimin e njohurive të kandidatit, që aspiron ushtrimin e një profesioni të rregulluar, duke siguruar uniformitet në vlerësimin e kandidatëve, në nivel kombëtar, përmes verifikimit të aftësive të nevojshme profesionale, sipas specifikave të çdo profesioni.

2. Përmbajtja e provimit të shtetit hartohet në përputhje me fushën e veprimtarisë profesionale.

3. Pas përfundimit me sukses të provimit të shtetit, kandidatit i jepet titulli profesional përkatës.

4. Përjashtohet nga detyrimi për të dhënë provimin e shtetit:

a) profesionisti që, në çastin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, ushtron ose ka ushtruar një profesion të rregulluar;

b) profesionisti, i cili fiton të drejtën e ushtrimit të një profesioni të rregulluar jashtë Republikës së Shqipërisë, në përputhje me përcaktimet e Këshillit të Ministrave.

 

Neni 10

Organizimi i provimit të shtetit

 

1. Provimi i shtetit organizohet dhe zhvillohet nga ministria që mbulon fushën e arsimit, në bashkëpunim me autoritetin kompetent përkatës.

2. Me urdhër të ministrit që mbulon fushën e arsimit dhe të autoritetit kompetent përkatës ngrihet Komisioni i Provimit të Shtetit, me këtë përbërje:

a) një përfaqësues i caktuar nga ministri që mbulon fushën e arsimit;

b) një përfaqësues i autoritetit kompetent;

c) një përfaqësues, anëtar i UP-së përkatëse;

ç) dy përfaqësues nga personeli akademik i universiteteve, të akredituara për programin përkatës të studimit të profesionit të rregulluar, të cilët kanë titullin shkencor “Profesor” dhe kanë, të paktën, 10 vjet përvojë pune në institucionet e arsimit të lartë.

3. Anëtarët e përcaktuar në shkronjat “c” dhe “ç” të pikës 2 të këtij neni emërohen sipas mënyrës së mëposhtme:

a) UP-ja i propozon autoritetit kompetent të paktën dy kandidatura, prej të cilave zgjidhet përfaqësuesi i përcaktuar në shkronjën “c” të pikës 2 të këtij neni;

b) Këshilli i Arsimit të Lartë dhe Shkencës i propozon ministrit që mbulon fushën e arsimit, të paktën, katër kandidatura, prej të cilave përzgjidhen dy përfaqësuesit e përcaktuar në shkronjën “ç” të pikës 2 të këtij neni.

4. Në rast se përfaqësimi i UP-së në Komisionin e Provimit të Shtetit nuk është i mundur, autoriteti kompetent përfaqësohet me një anëtar shtesë.

5. Kryetari i Komisionit të Provimit të Shtetit është përfaqësuesi i përcaktuar në shkronjën “a” të pikës 2 të këtij neni.

 6. Kriteret për përzgjedhjen e përfaqësuesve të përmendur në pikën 2 të këtij neni përcaktohen me urdhër të ministrit që mbulon fushën e arsimit, në bashkëpunim me autoritetin kompetent të fushës përkatëse.

 7. Ministri që mbulon fushën e arsimit përcakton rregullat për funksionimin e Komisionit të Provimit të Shtetit, shpërblimin e anëtarëve të tij, si dhe procedurat dhe mënyrën e zhvillimit të provimit të shtetit.

8. Tematika, mënyra e zhvillimit dhe administrimi, përmes teknologjisë dixhitale të provimit të shtetit, përcaktohen me urdhër të ministrit që mbulon fushën e arsimit, pas këshillimeve me autoritetin kompetent.

 

Neni 11

Praktika profesionale

 

1. Praktika profesionale synon përvetësimin efektiv të njohurive teknike, praktike dhe etike të profesionit, mënyrat e së cilës përcaktohen nga autoriteti kompetent, me propozimin e UP-së përkatëse.

2. Praktika profesionale zhvillohet nën drejtimin e një profesionisti, person fizik apo juridik.

3. UP-ja përkatëse, nëpërmjet strukturave të veta, siguron që praktika të kryhet nën drejtimin e një profesionisti, i cili e ushtron profesionin prej jo më pak se tre vjetësh dhe jep garanci të mjaftueshme për përgatitjen teoriko-praktike të praktikantit.

4. Gjatë zhvillimit të praktikës profesionale, praktikantit i jepet një pagesë prej jo më pak se 50 (pesëdhjetë) për qind të rrogës bazë.

5. Pagesa apo shpërblimi vlerësues bëhet nga profesionisti, i cili drejton praktikën profesionale.

6. Përjashtohet nga detyrimi për kryerjen e praktikës profesionale çdo individ, i cili provon se, për një periudhë të caktuar dhe në përputhje me kriteret specifike të një profesioni të rregulluar, ka qenë i angazhuar në një veprimtari profesionale, brenda ose jashtë vendit, që i ka dhënë mundësi të përvetësojë një përvojë profesionale të mjaftueshme në fushën e këtij profesioni.

7. Autoriteti kompetent, në bashkëpunim me UP-në përkatëse, përcakton kriteret, që përdoren për të vlerësuar nëse përvoja profesionale e kandidatit është e mjaftueshme për ta përjashtuar nga detyrimi për kryerjen e praktikës profesionale, përmes një vendimi përfundimtar.

 

Neni 12

Regjistrimi në urdhrin profesional

 

Çdo profesionist, për të fituar të drejtën e ushtrimit të një profesioni të rregulluar, regjistrohet në urdhrin profesional përkatës.

 

KREU III

AUTORITETET PËRGJEGJËSE

 

Neni 13

Kompetencat e Këshillit të Ministrave

 

Këshilli i Ministrave, me propozimin e autoritetit kompetent, përcakton:

a) kërkesat minimale për formimin dhe kualifikimet profesionale për profesionet e rregulluara;

b) listën e specialiteteve, të nënspecialiteteve apo specialiteteve plotësuese për profesionet e rregulluara.

 

Neni 14

Autoriteti kompetent

 

Autoriteti kompetent për profesionet e rregulluarra në një fushë të caktuar është ministria që mbulon fushën përkatëse.

 

Neni 15

Urdhri profesional

 

1. Misioni i UP-së është ruajtja e standardeve të larta në formimin dhe ushtrimin e profesionit të rregulluar, si dhe mbrojtja e publikut nga kequshtrimi i profesionit.

2. Personat që ushtrojnë një profesion të rregulluar organizohen në një UP, pa përjashtuar anëtarësimin në sindikata.

3. Organizimi dhe funksionimi i urdhrit profesional bëhet me ligj të veçantë.

 

KREU IV

PËRGJEGJËSITË E PROFESIONISTIT

 

Neni 16

Përgjegjësitë e profesionistit

 

Profesionisti ka detyrime:

a) të respektojë ligjet dhe kodin etik profesional;

b) të bëjë të njohur për publikun titullin profesional të tij;

c) të kujdeset për përditësimin e aftësive të veta profesionale;

ç) të vërë në dijeni UP-në përkatëse për situata të mundshme të konfliktit të interesit, lidhur me shërbimin e kërkuar;

d) të vërë në dijeni përfituesin e shërbimit për anëtarësinë e tij në UP-në përkatëse dhe të japë të dhëna për përvojën e tij profesionale, si dhe për situatat e mundshme të konfliktit të interesit, lidhur me shërbimin e kërkuar.

 

Neni 17

Kodi etik profesional

 

1. Kodi etik profesional, përmbajtja e të cilit duhet të jetë lehtësisht e kuptueshme nga të tretët, disiplinon ushtrimin e veprimtarisë profesionale të çdo profesionisti.

2. Kriteret dhe procedurat e hartimit të kodit etik profesional përcaktohen nga organet kombëtare të UP-së.

3. Kodi etik profesional udhëhiqet nga këto parime:

a) mbrojtja e interesave publikë, nëpërmjet ushtrimit korrekt të profesionit:

b) mbrojtja e besimit dhe e zgjedhjes së lirë nga përfituesi i shërbimit;

c) sigurimi i cilësisë së shërbimeve profesionale;

ç) sigurimi i të dhënave të duhura për përmbajtjen dhe mënyrat e ushtrimit të shërbimeve profesionale.

4. Kodi etik publikohet dhe përditësohet periodikisht nga UP-ja përkatëse.

 

Neni 18

Masat disiplinore

 

1. Profesionisti, që shkel detyrimet e parashikuara në këtë ligj, në ligje të veçanta, që rregullojnë fushën e veprimtarisë së tij, apo në kodin etik profesional ndëshkohet me masë administrative.

2. Llojet e masave administrative, autoriteti përgjegjës, procedurat e dhënies, të ankimit, parashkrimi apo shuarja e këtyre masave përcaktohen në ligjin për krijimin e UP-së përkatëse.

 

KREU V

DISPOZITA TË FUNDIT

 

Neni 19

Nxjerrja e akteve nënligjore

 

1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit, të nxjerrë aktet nënligjore përkatëse në zbatim të neneve 9 pika 4 shkronja b dhe 13 të këtij ligji.

2. Ngarkohet ministri që mbulon fushën e arsimit që, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit, të nxjerrë aktet nënligjore përkatëse në zbatim të nenit 10 pikat 2, 6, 7 e  8 dhe të nenit 11 pika 7 të këtij ligji.

 

Neni 20

Hyrja në fuqi

 

Ky ligj hyn në fuqi 6 muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.6322, datë 5.11.2009 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi 

 

Kontakto me ne

 Adresa e UFSH: Blv. "Gjergj Fishta", kulla 1, Ap. 10/B, Tirane 
  • orari i pritjes: nga e hene ne te premte, ora 10:00 - 13:00 
  • Tel: +35542264980
  • Email: zyraufsh@yahoo.com



Publikime te fundit